Kryesuesi Adem Mikullovci ka thënë që të mërkurën do të shkojë në konsultime më përfaqësuesit e partive politike, siç ka kërkuar koalicion PAN, para se të thirr seancë të re.

“Unë do të shkoj në takim me ta të mërkurën në orën 10:00”, u ka thënë deputetëve kryesuesi Mikulloci.

Ai ka treguar gjithashtu se qëndrimi i partisë së tij, VV, është që nuk merr pjesë në takime të tilla, por megjithatë Mikullovci tha se ai do të shkojë në takim.

Ndryshe, në Kuvend po vazhdojnë fjalimet edhe përkundër se nuk ka kuorum për vazhdimin e seancës parlamentare.  Në sallë janë paraqitur vetëm 53 deputetë.

Deputetët e PAN dhe minoriteteve kanë munguar serish.

***

Konjufca: Marrim pjesë në seancë edhe nëse PAN-i s’ka kandidat tjetër për kryeparlamentar

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka kërkuar që në seancën e sotme të vendoset që të zhvillojmë debat politike këtu në mënyrë që cdo deputet të shpreh mendimin për situatën e krijuar në vend.

Sipas tij, kjo seancë është ajo e 3 gushtit e thirrur nga koalicioni PAN, respektivisht presidenti Thaçi.

Konjufca theksoi se PAN po e bojkotojnë themelimin e institucioneve duke mos u shfaqur në Kuvend. E sipas tij, kjo po ndodhë për shkak se nuk i kanë numrat.

Konjufca tha se qytetarët do t’i zvogëlojnë këto parti të mbrapshta. Sipas tij, një gjë është e sigurt, Qeveria e Kosovës ose do t’i ketë 81 vota me në krye VV ose do t’i ketë 59 vota me në krye PDK-në.

Sipas Konjufcës, një Qeveri e ardhshme pa PDK-në në vendimmarrje do të ua mundësonte atyre që t’i qitnin sheshit të bëmat e këqija ndaj vendit.

Konjufca tha se nëse PAN nuk ka kandidat tjetër pos Veselit le të vijnë dhe ta qesin në votim dhe ata do të marrin pjesë në votim.

Ai tha se ata propozojnë që kjo seancë t’ua zë vendin tryezave të cilat po i kërkon PAN-i. Konjufca tha se duhet të flasin të gjithë.

“Takimi i Thaçit me njerëz të sapo dalë nga burgu, tregon qartë se kujt i shërben”

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca ka drejtuar akuza të shumta ndaj koalicionit PAN si dhe presidentin Hashim Thaçi.

Në fjalën e tij në Kuvend, Konjufca ka thënë se presidenti Thaçi, javën e kaluar është takuar me persona të sapo dalë nga burgu.

Konjufca ka deklaruar se kjo flet më së miri se kujt po i shërben presidenti i vendit.

“Mund t’ju duket paradoksale ajo që do t’ju them, por këtë seancë e ka thirrë vetë PAN-i dhe vetë nuk po merr pjesë. Kjo seancë është ajo e 3 gushtit dhe nuk po kryhet, për shkak të bojkotit të koalicionit PAN. Ai ka thënë se nga kjo situatë kuptohet se presidenti Hashim Thaçi është duke i shërbyer koalicionit PAN”, ka thënë Konjufca.

“Me takimet që ai i ka zhvilluar me disa persona të PDK-së të sapo liruar nga burgu, tregon se ai është vënë kryekëput në shërbim të koalicionit PAN”, është shprehur Konjufca.

Më tej, ai ka folur edhe për situatën e vitit 204.

“Nëse ju kujtohet në vitin 2014, ata e kishin kryesuesin e seancës dhe nuk thërrisnin seancën me qëllim. Siç e dini, atë kohë, themelimi i institucioneve u vonua gjashtë muaj. Kurse sot, ata po e bllokojnë themelimin e institucioneve duke mos u shfaqur në Kuvend. Ku e kanë hallin ata? Është shumë e thjeshtë. Nuk i kanë numrat, as për kryeparlamentar as për kryeministër. Ata nuk i kanë numrat sepse ata numra në dorë i  kanë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Konjufca ka folur edhe për opsionet që ka Kosova.

“Qeveria e ardhshme ose do të ketë 81 vota në krye më Vetëvendosjen, ose do ‘ti ketë 59 vota në krye më PDK-në. As që dua të hargjoj fjalë për të shpjeguar se cila qeveri i duhet më shumë Kosovës sepse kjo po duket qartë”, ka përfunduar ai.

***

Pas 15 minutash pauzë, ka rifilluar seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Kryesuesi Adem Mikullovci ka bërë të ditur se nuk ka kourum për mbajtjen e seancës, pasi në sallë janë vetëm 53 deputetë. Por, ai u ka dhënë leje deputetëve të koalicionit LAA dhe Vetevendosjes që të debatojnë.

Kujtojmë se në sallë nuk gjendet asnjë deputet i PAN-it.

***

Ka nisur me 20 minuta vonesë seanca konstituive e Kuvendit, e cila po mbahet për herë të katërt.

Me të marrë fjalën, kryesuesi Adem Mikullovci ka caktuar 15 minuta pauzë, për shkak se në sallë nuk gjendet asnjë deputet i koalicionit PAN dhe minoriteti serb, përcjell Bota sot.

Mikullovci ka thënë se do t’i respektojnë të gjitha procedurat për mbajtjen e seancës.

***

Deputetët e koalicionit LAA dhe ata të Vetëvendosjes kanë filluar të hyjnë në sallën e seancave plenare.

Edhe për këtë të hënë kryesuesi Adem Mikullovci ka ftuar vazhdimin e seancës konstituive që është hera e katërt.

Në sallë nuk gjendet asnjë deputet i koalicionit PAN, ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më herët.

William Walker merr pjesë në seancën konstituive

Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker është parë duke hyrë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Walker do të marrë pjesë në punimet e seancës së sotme konstituive që pritet të nis pas pak minutash.

Deri më tani, asnjë prej deputetëve të koalicionit PAN nuk ka hyrë në Kuvend.

Image

***

Tashmë deputetë të Kuvendit kanë filluar të hyjnë në Kuvend për vazhdimin e seancës konstituive, ndërkaq deputetët e PAN-it kanë paralajmëruar sërish se do ta bojkotojnë.

Seanca e cila pritet të fillojë në ora 10:00 do të udhëhiqet nga kryesuesi, deputeti më i moshuar i përbërjes së re parlamentare Adem Mikullovci.

***

Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën konstituive, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë zgjedhja e kryetarit të Parlamentit dhe nënkryetarëve.

Megjithatë, koalicioni PDK-AAK-NISMA, ka ritheksuar se nuk do të marrë pjesë në seancë për të propozuar kandidatin e tyre, duke e bojkotuar kështu edhe një tjetër tentativë për zgjedhjen e kreut të Kuvendit.

Ndërsa kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, më i moshuari i përbërjes së re, Adem Mikullovci, ka hedhur poshtë kërkesën e PAN-it për vazhdimin e konsultave.

Ai madje gjatë ditës së djeshme ka paralajmëruar se në seancën e nesërme do të ketë dy befasi, gjithnjë nëse do të ketë kuorum.

Ndryshe, sot për herë të katërt do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, në përpjekje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, një domosdoshmëri kjo për krijimin e Qeverisë së re, për të cilën nevojiten 61 votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.