Leze Qena, një prej aktoreve më simpatike e të lezetshme shqiptare, tregimin e saj në skenë e ka të pafund.

Rolet e saj në televizion e në teatër, ndër vite, me personazhe të ndryshme, e kanë formësuar në një grua e cila ka buzëqeshjen në rend të parë dhe humorin në rend të dytë. Vuajtja sikur nuk zë vend brenda saj, ose është kaq mirë e fshehur.

“Katarina Josipi dhe Meriban Shala kanë qenë dy shoqe dhe dy kolege që rrallë mund të gjenden! Se, aktorët janë si fëmijët, janë edhe xhelozë, edhe.. Unë nuk kam parë njerëz të jenë pa fije smire mes tyre, por, thjesht, të vuajnë njëra për tjetrën. Kur ka vdekur Meribani, shumë e re, 24 vjeçe, Kati vuante për të dhe shpesh qante. Unë dhe Xhevati shkonim, e dinim pse ishte e mërzitur.

Meribanin unë e kam parë te shfaqja “Besa” e Sami Frashërit, o Zot ai aktronte, e kam parë edhe te “Mirandolina”, ndërsa në shfaqjen “Nuk martohem më parë” kam aktruar me të” tregon rrëfimin e saj aktorja Leze Qena përballë Sanije Gashit.

Leze Qena duket se me këto dy aktore ka pasur shoqëri përtej aktrimit. Tri aktore me të njëjtin shpirt, vështirë se mund ti ndajë diçka, qoftë këtu edhe vdekja.

“Me Katin, ndërkaq, më ka rënë të luaj më shpesh. Kati është e pazëvendësueshme! Kush e ka parë në shfaqje, e di, kush nuk e ka parë – gjynah” tregon Leze Qena.

Lezja edhe sot është personazh i dashur për ata që e duan artin e kulturën. E lindur në Prizren, ka luajtur në “Shkolla e fshatit”, “Familja moderne”, “Macja”, “I ikuri” e projekte të tjera. Lezes duhet ti jemi mirënjohjes dhe ti përulemi për këto vite hare, teatër hyjnor dhe emocione të cilat na i dha neve dhe ne i pranuam pa pyetur më shumë.