Lëvizja BESA është në përfundim të kombinatorikave për kandidatët për kryetarë komunash. Kalkulimet e fundit po bëhen për Tetovën, ku në lojë janë disa kandidatura, përfshirë edhe liderin e kësaj partie, Bilall Kasami.

Siç mëson INA nga burime partiake, kandidati i mundshëm për Tetovën është Adnan Azizi, filolog dhe teolog nga Tetova dhe aktivist i shoqërisë civile, i cili gëzon autoritet në rrethinën e kësaj komune. Ai është anëtar i kryesisë së Lëvizjes BESA.

“Jemi në shqyrtim të kandidaturave dhe nuk mund të japim detaje. Është sigurisht një konkurrencë e fortë, sepse kemi figura reprezentuese dhe fitimtare, që kjo do të dëshmohet më 15 tetori”, theksoi për INA, një zyrtar i kësaj partie.

Lëvizja BESA gjatë kësaj jave pritet të zyrtarizojë pjesën më të madhe të kandidaturave për zgjedhjet lokale. Deri tani është bërë zyrtare nxjerrja e Shaban Zendeli si kandidat në komunën e Likovës.