Prokuroria Speciale sot ka dorëzuar ankesë pranë Apelit pasi Këshilli i Gjykatës Penale vendosi që bisedat e përgjuara nuk mund të jenë dëshmi në lëndën “300”. Aktakuza ka të bëjë me furnizimin publik të 300 automjeteve në MPB. I dyshuari i parë është ish ndihmës ministri Gjoko Popovski, i cili sipas Speciales ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe nuk ka respektuar kriterin e vërtetuar për furnizime publike, me çka buxhetin e ka dëmtuar për 450 mijë euro. Nga Prokuroria Speciale për Alsat M thonë se është e pamundur që “Bombat” të anashkalohen nga vazhdimësia e procedurës dhe presin që gjykata ta pranojë ankesën e tyre.

Presim që ta pranojnë ankesën. Kur merreshin vendimet për ndarjen e provave, ligji për Prokurorinë Speciale ende nuk ishte marrë. Me vetë sjelljen e ligjit në rastin konkret, ligjdhënësi në një farë mënyre pranoi se këto biseda ka arsye për t’u hetuar. Nëse duhet të hetohen, atëherë domosdoshmërish ato duhet të jenë pjesë e procedurës së mëtejshme”, thanë nga PSP.

Paraprakisht Specialja kërkoi paraburgim për Popovskin, por edhe Penalja edhe Apeli vendosën vetëm që t’ia marrin pasaportën. Krahas refuzimit të “bombave” si dëshmi, Këshilli i Gjykatës Penale tani për tani nuk ka vendim final nëse do ta pranojë apo refuzojë aktakuzën për rastin 300 ose do ta kthejë në ripërpunim në PSP.

Aktakuzën për rastin 300 Specialja e ngriti para përfundimit të afatit ku bombat mundeshin të hetohen dhe kjo prokurori kishte mandat për ngritjen e aktakuzës./Alsat-M