Mimoza Kusari-Lila nga koalicioni LAA, ka akuzuar koalicionin fitues të zgjedhjeve të 11 qershorit PAN, se ka thyer të gjitha premtimet për zhvillimin ekonomik të vendit, ndërsa ka shprehur shqetësimin për humbjet ekonomike si pasojë e mos formimit të institucioneve të Kosovës.

Ajo gjatë diskutimit në tryezën e organizuar nga koalicioni LAA, ka thënë se Kosova ka humbur 15 milionë euro nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) për shkak të mos konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë.

“Kosova rrezikon të humbasë edhe 75 milionë euro të fondit IPA, të cilat si parakusht kryesor e kanë marrëveshjen me FMN-në”, ka thënë Kusari-Lila.

Sipas saj, lajm tjetër i keq që vjen si pasojë e mos konstituimit të Kuvendit është edhe pamundësia e rishikimit të buxhetit.

“Kjo krizë e shkaktuar sot nga PAN, po i troket dhe do të vazhdojë t’i trokasë secilit qytetar të Kosovës në derë”, u shpreh Kusari-Lila.

***

Analisti Ramush Tahiri ka thënë se partitë politike nuk janë duke treguar vullnet për gjetjen e zgjidhjes për të dalë nga kriza e krijuar për shkak të mos formimit të institucioneve të Kosovës.

Ai në tryezën e diskutimit të organizuar nga koalicioni LAA, ka thënë se nëse koalicioni PAN ndërron mendje dhe konstituohen organet, lënda duhet të shkojë në gjykatë.

“Pasi nuk tregohet vullnet, lënda të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese. Nuk ka zgjidhje tjetër. Gjykata Kushtetuese është autoriteti i vetëm që krijon hapësirë juridike për gjetjen e zgjidhjeve”, ka thënë Tahiri.

Ai ka propozuar edhe formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, në të cilën do të përfshihej edhe shoqëria civile, ndërkohë që nuk e ka përjashtuar edhe mundësinë për zgjedhje të jashtëzakonshme si mjeti i fundit për të dalë nga kriza politike.

Tryeza e sotme e diskutimit me partitë politike, analistë dhe shoqërinë civile, është organizuar nga koalicioni LAA dhe aty nuk po merr pjesë PAN, pasi që nuk ka marrë ftesë.

Para mbajtjes së kësaj tryeze është zhvilluar një takim konsultativ i partive politike, në të cilën u vendos që më 24 gusht të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, propozim ky i koalicionit PAN-it.

Në këtë takim konsultativ, i thirrur nga kryesuesi i seancës konstituive Adem Mikullovci, nuk ka marrë pjesë Lëvizja Vetëvendosje.

***

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila ka folur për efektet negative në ekonominë vendore të moskonstituimit të institucioneve të reja.

Ajo ka thënë se Kosova rrezikon të humbë 100 milionë euro dhe se pamundësia e rishikimit të buxhetit rrezikon një tjetër krizë financiare.

Kusari-Lila ka thënë se egoja e dy personave ka bllokuar shtetin e Kosovës.

***

Vetëvendosje kundër dërgimit në Kushtetuese të ngërçit në Kuvend

Lëvizja Vetëvendosje nuk e mbështet një propozim që bllokada institucionale të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për sqarim.

Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, në takimin konsultativ të thirrur nga koalicioni LDK-AKR- Alternativa, tha se dërgimi eventual i kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese do ta vononte zgjidhjen dhe, sipas tij, do t’i jepte më shumë kohë koalicionit PDK-AAK-NISMA.

“Në kuptimin praktik, e shton komplikueshmërinë e situatës. Ia japim një kohë të panevojshme koalicionit PAN për ta vazhduar këtë bllokadë. Kjo do të ishte pasoja politike e një veprimi eventual të tillë”, tha Konjufca.

“Kushtetuesja do të merrte disa ditë, deri në dy muaj, për të dhënë një përgjigje dhe kjo nuk na konvenon”, shtoi ai.

Konjufca, sot, duke folur në tryezën politike të LAA-së kushtuar krizës aktuale politike dhe zgjidhjes së saj, ka fajësuar PAN-in se ai po pengon krijimin e institucioneve të Kosovës.

Ky koalicion, tha Konjufca, me mosardhjen e vet në seancat konstitutive po e pengon krijimin e organeve të Kuvendit.

Por analisti Ramush Tahiri, preferon që lënda të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese meqë, sipas tij, ekziston mundësia që rasti të mbyllet sapo të gjendet një zgjidhje politike për të dalë nga kriza.

Zemaj: Papërgjegjësitë politike, shkaktarë të bllokadës në vend

Deputeti nga radhët e LAA, Armend Zemaj ka thënë se Kushtetuta nuk është shkaktari kryesor i krijimit të bllokadave politike.

Ai në tryezën e diskutimit të organizuar nga LAA, ka thënë se shkaktar kryesor i ngecjes së mos formimit të institucioneve të Kosovës janë papërgjegjësitë politike, të cilat për bazë kanë interpretimet e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, përkundër faktit që Kushtetuta e rregullon mënyrën e konstituimit të Kuvendit, kjo është hera e dytë që vendi ynë po ballafaqohet me bllokada dhe kriza politike.

Në këtë tryezë nuk po merr pjesë PAN, pasi që koalicioni LAA nuk i ka dërguar ftesë.

Hoti: Institucionet të formohen sa më shpejt, duke respektuar Kushtetutën

Koalicioni LAA ka organizuar tryezë diskutimi me partitë politike me përjashtim të PAN-it, mbi rrugëdaljen që duhet gjetur për të dalë nga gjendja e tanishme institucionale.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LAA, Avdullah Hoti, ka thënë me këtë rast se konstituimi i Kuvendit të Kosovës  ka ngecur në ditën kur është dashur të propozohet kryetari i Kuvendit. Ai e ka quajtur jo kushtetues kërkesën e PAN që të votohen në një pako kryetari i Kuvendit dhe kryeministri i Republikës të Kosovës.

“Gjendja në të cilën jemi dhe sjellja e koalicionit PAN tregon mungesën e maturisë politike të një spektri politik në Kosovë karshi qytetarëve të Kosovës dhe karshi partnerëve tanë ndërkombëtar… Qëllimi i tryezës është që të debatojmë dhe të gjejmë rrugën e duhur për dy çështje. E para që në afat të shkurtër të shohim se si mund të zhbllokohet themelimi i institucioneve të vendit dhe  e dyta besoj se kjo nga tryezë duhet nisë dhe të formalizohet diskutimi substancial për të ndërtuar konsensusin politik dhe shoqëror për të ndryshimet kushtetuese që duhet të ndodhin në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, tha ai

LAA në tryezë diskutimi me partitë politike

Koalicioni LAA organizon tryezë për të diskutuar rreth gjetjes së një zgjidhje për të dalë nga situata aktuale e krijuar pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Në këtë tryezë, koalicioni LAA ka ftuar Lëvizjen Vetëvendosje, minoritetet si dhe ekspertë të së drejtës kushtetuese, por ka injoruar deputetët e koalicionit fitues të zgjedhjeve, PDK-AAK-Nisma, të cilët nuk janë ftuar në këtë tryezë.

Global