Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot pasdite e vazhdoi debatin për Propozimin e plotësuar të ndryshimeve dhe plotësimeve të Buxhetit për vitin 2017. Kjo është dita e dytë nga debati për ribalancin e Buxhetit, në të cilin deputetët nga shumica në pushtet dhe opozita i shfaqin kryesisht qëndrimet e ndryshme lidhur me të.

Seanca për në orën 17 u ndërpre, ndërsa kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi vazhdimin e caktoi për nesër në orën 11.

Deputetët nga VMRO-DPMNE-ja opozitare sërish me qëndrim se ribalanci i Buxhetit shkurtohet në investimet e kapitalit, ulen mjetet në arsim, shëndetësi, polici, armatë,… në llogari të shpenzimeve joproduktive, punësimeve partiake dhe ndërtim të kampeve për emigrantë.

Deputetët nga LSDM-ja theksuan se me këtë ribalanc të Buxhetit shkurtohen shpenzimet joreale. Kishte një sërë vërejtjesh për qeverisjen 11 vjeçare të VMRO-DPMNE-së.

Debati për ribalancin e Buxhetit, i cili filloi më 1 gusht, është paraparë të zgjasë pesë ditë.