Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në orën 10:00, në një seancë që në rend dite, ka vetëm zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri.

Në seancën e parë të legjislaturës së re, që u zhvillua të enjten, 120 deputetët arritën vetëm të bëjnë betimin, pa mundur të zgjedhin kryetarin.
Në pamundësi për të siguruar 61 votat e nevojshme, koalicioni PAN, që ka shumicën parlamentare, nuk propozoi Kadri Veselin, siç kishte paralajmëruar, duke braktisur sallën.
Kjo detyroi kreun e përkohshëm të seancës, deputetin e Vetëvendosjes Adem Mikullovci, të ndërpresë punimet dhe të shtyjë seancën për të premten.
Në përpjekje për të zgjidhur ngërçin e krijuar, Kadri Veseli, kreu i PDK-së, tha gjatë një interviste për Radiotelevizionin e Kosovës se do të tërhiqte kandidaturën e tij, nëse në parlament gjendej konsensusi ,për të votuar për kryeministër Ramush Haradinaj.
Lëvizja Vetëvendosje tha se e mirëpriste tërheqjen e Veselit, por refuzoi të votojë Ramush Haradinajn për kryeministër.