Nga , Abdulla Mehmeti

Në vazhdën e aktiviteteve nga Akademia Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve, Nju Jork-Shkup, ditëve të fundit kemi realizuar takime me krerët e disa partive politike të shqiptarëve në Maqedoni, të subjekteve jopolitike dhe personalitete publike.

Shumë takime janë realizuar edhe jashtë vendit, sidomos në Tiranë dhe Prishtinë. Për disa nga këto aktivitete e kemi njoftuar opinionin, ndërsa për të tjerat do ta njoftojmë, në kohën e përshtatshme, gjatë ditëve në vazhdim.

Me qëllim të transparencës së plotë në punën tonë, e njoftojmë opinionin se jemi në pritje të takimeve edhe me udhëheqësit e partive politike parlamentare të shqiptarëve në Maqedoni: Bashkimin Demokratik për Integrim dhe Partinë Demokratike Shqiptare, të cilat janë njoftuar me kohë, por ende nuk kanë shprehur gatishmëri për realizimin e këtyre takimeve të kërkuara nga ne.

Për të gjitha hollësitë, pas realizimit të takimeve të planifikuara në nivel të Qeverisë së Maqedonisë dhe përfaqësuesit e disa ambasadave në vend, do ta njoftojmë opinionin ditëve në vazhdim, përmes një konference për mediat.