Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, thotë se paralajmërimi i takimit në mes të Presidentit Hashim Thaçi me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, tregon se Presidenti po vazhdon në mënyrë të njëanshme çështjen e dialogut.

“Dialogu me Serbinë duhet të ketë një platformë të qartë të dialogimit edhe pse më duhet të them se sot me keqardhje morëm lajmin se Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi po vazhdon në mënyrë të njëanshme çështjen e dialogut, për arsye se ishte paralajmëruar takimi i radhës i tij me Presidentin  e Serbisë”, tha Kusari Lila për televizionin 21.

Ajo mendon se në këtë periudhë krize politike të vendit, ky veprim është një protagonizëm i Thaçit.

“Ajo çka është e rëndësishme është që të dihet saktë dhe në mënyrë të qartë procesi dhe temat e bisedimeve para të gjithë opinionit në Kosovë”, shtoi Kusari-Lila.