Ti drejtohesh tjetrit me fjalën “ti” në vend të “ju”, mund të shënojë kalimin nga një njohje e thjeshtë në një miqësi të madhe ose dashuri.

Gjithmonë kodi i sjelljeve të pëlqyeshme ka vënë një kufi midis “ti” dhe “ju”. Kur mund ta kalojmë këtë kufi?

Rregulla e parë: Vendimi për t’iu drejtuar tjetrit me fjalën “ti” merret vetëm atëherë kur je i sigurt se do të mirëpritet nga personi me të cilin bisedon.

Rregulla e dytë: Nisma për të thënë “ti” duhet të merret nga personi më i madh në moshë, eprori ose zonja.

Te moshat pak a shumë të barabarta, ndër mjedise shoqërore të ngjashme, me të njëjtën kulturë, është, madje, diçka qesharake t’i drejtohesh bashkëbiseduesit me “ju“. Por nuk mund t’i drejtohemi kurrë kirurgut të moshuar, ose profesorit shumë më të madh, me shprehjen “ti“, qoftë edhe sikur të kemi mbaruar të njëjtin fakultet dhe të jemi bërë kolegë zyre.

Por si t’ia bëjmë nëpër dyqane, kur disa na drejtohen shpesh me “ti”?

Dëgjojmë shpeshherë që të na thonë:

“Sa sallatë do të blesh ti?” “Ky është malli, nuk e bëj unë, a do ta marrësh apo jo?”

Për këta tipa ka një zgjidhje mjaft elegante. Përpiquni ta zgjatni pakëz bisedën dhe drejtojuni personit në fjalë me “ju”. Në mbarim të këtij “skeçi”, keni për të parë se më në fund do të arrini atë që keni dëshiruar që në fillim.