13 avokatët e rastit gjyqësor të Kumanovës me 30 gusht do të fillojnë të japin fjalën përfundimtare të 37 të akuzuarve. Avokatët e rastit të Kumanovës si dëshmi të vetme mbrojtëse e kanë dëshminë e vetë të akuzuarve pasi që gjykata paraprakisht i refuzoi të gjithë provat plotësuese të tyre. Avokati Naser Raufi thotë se nuk ka balancë midis palëve meqë nuk kanë prova të tjera ashtu sic ka prokuroria.

Mbrojta do të jetë në bazë të deklaratave që i kanë dhënë vetë të akuzuarit pasi që ju jeni të njoftuar që të gjitha provat e të gjitha avokatëve u refuzuan nga ana e trupit gjyqësorë pasi që gjykata nuk donë që të zbardhet ky rast dhe unë nuk shoh asnjë arsye tjetër. Në bazë të përvojës time si avokat nuk ka ndodhë që më shumë se 200 prova që janë kërkuar asnjë të mos pranohet ku me këtë pengohet edhe vetë mbrojtja e të akuzuarve dhe nga ana e gjykatës nuk jemi të barabartë me prokurorinë- deklaroi avokati mbrojtës Naser Raufi.

Megjithatë mbrojta pret që gjykata të vendos në favor të tyre pasi që, sipas tyre, në asnjë nga dëshmitë e prezantuara deri më tani nuk precizohet se grupi ka pasur për qëllim ndonjë sulm apo ndonjë aktivitet tjetër terrorist.

Punohet për një situatë hipotetike paushall ku nuk ceket se cili i akuzuar çka vepron , edhe për deliktin e terrorizmit element që duhet të jenë për të pas terrorizëm, vetëm janë numëruar taksativisht dhe nuk kemi dëshmi se kanë pasur ndonjë plan të bëjnë ndonjë vrasje, sabotime apo atentate dhe në asnjë dëshmi nuk është dëshmuar se cili ka qenë qëllimi i tyre- theksoi Naser Raufi.

Në fjalën përfundimtare, prokurori Naum Panovski kërkoi që për dënimin të vendos gjykata ndërsa për prokurorinë vepra ngelet e njëjtë terrorizëm dhe organizatë terroriste me arsyetim se kanë ngjallur frikë dhe pasiguri tek qytetarët. Dënimi për këto vepra mund të shkojë duke filluar nga 10 vjet deri në burg të përjetshëm. Pritet që mbrojta në 8 seanca të përfundoj më fjalët përfundimtare ndërsa në fund të shtatorit apo në fillim të tetorit pritet të ketë edhe vendim nga ana e gjykatës./alsat-m