Prej disa ditësh në territorin e vendit janë riatdhesuar një numër i konsiderueshëm i azilkërkuesve shqiptarë e pikërisht për këtë fenonem, kreu i policisë së shtetit Haki Çako ka dalë vetë në terren për të dhënë një mesazh për të gjithë qytetarët.

Haki Çako ka inspektuar punën në pikën kufitare në Qafë- Thanë, i shoqëruar nga Drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Aida Hajnaj, dhe ka dhënë këtë mesazh:

 “Të gjithë shtetasit shqiptarët që deportohen ose kthehen në shkelje të konstatuar në vendet e BE jo vetëm që penalizohen në të drejtën e tyre për të lëvizur por do të kontrollohen rreptësisht për të qarkulluar në këto vende.”– është shprehur Çako.

Njëkohësisht policia e shtetit ka dhënë një urdhër për kontroll të rreptë të shqiptarëve në pikat kufitare, në kushtet kur lëvizja gjatë sezoni turistik është mjaft e lartë e kësisoj edhe tentativat për emigrim të jashtëligjshëm mund të shtohen.

Haki Çako është shprehur se pavarësisht se fenomeni i azilkërkimit vijon të jetë prezent në vend, ka një ulje të dukshme të numrit të shqiptarëve që e kërkojnë atë.

“Numri i azilkërkuesve ka rënë ndjeshëm pasi edhe shtetasit shqiptar janë ndërgjegjësuar janë orientuar qartazi pasi mënyra për të punuar në BE është ajo e ligjshmja.”- përfundoi Çako