Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), duke u mbështetur në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Zgjedhjet Lokale deri në përfundim të këtij muaji do të përmbyllë procesin e certifikimit të subjekteve politike të cilat kanë aplikuar për të qenë pjesë e garës për zgjedhjet lokale.

Kurse tërheqja e shortit për numrat rendor të partive pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale do të bëhet më 6 shtator.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për Ekonomia Online.

“Deri në përfundim të këtij muaji do të përmbyllë procesin e certifikimit të subjekteve politike. Për të aplikuar është data 31 gusht fundi i këtij muaji. Kjo është paraparë të mbahet me datë 6 shtator dhe atëherë do të dimë edhe renditjen apo numrat e partive politike në këto zgjedhje”, ka thënë ai.

Sipas Elezit, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të shqyrtojë të gjitha aplikimet e pranuara, kurse rekomandimet të cilat mund të refuzohen mund të paraqesin ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa.

“Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të shqyrtojë të gjitha aplikimet e pranuara (të gjithë kandidatët) dhe do të paraqes rekomandimet përkatëse për secilin subjekt, pra nëse i ka plotësuar kushtet për t’u certifikuar ose jo. Rekomandimi mund të jetë Për ose Kundër certifikimit të listës së kandidatëve. Ndaj vendimit të KQZ-së, në rast se është refuzuar certifikimi i listës së kandidatëve, subjekti politik mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”, është shprehur ai.

KQZ ka njoftuar se për zgjedhjet komunale të 22 tetorit kanë aplikuar 91 subjekte politike, nga të cilat 35 parti politike, një koalicion, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur.