Samet Imishti nga fshati Rezhancë i Hanit të Elezit u arrestua më 1 dhjetor të vitit 2015 nën akuzën për nxitje të terrorizmit. Ai u burgos për shtatë muaj në qytetin e Breshias në Itali, pasi kërcënoi Papa Françeskun.

Sameti nuk ishte i vetmi kosovar i cili u arrestua dhjetorin e vitit 2015 për të njëjtën aktakuzë. Edhe dy familjarët e tij, vëllai Ismail Imishti dhe nipi Mërgim Imishti kishin përfunduar në pranga nga aksionet e Policisë italiane dhe të Policisë së Kosovës.

Dy familjarët e Imishtit ishin arrestuar në Breshia, derisa vet ai ishte arrestuar në Kosovë.

Një vit e gjysmë pas arrestimit dhe mbajtjes së shtatë muajve burg, Imishti thotë se është penduar dhe dëshiron t’i kërkojë falje Papa Françeskut.

“Unë kam një ëndërr: të përqafoj Papa Françeskun dhe t’i kërkoj falje: vëllai im dhe unë kurrë nuk menduam ta lëndonim atë. Gjatë këtyre muajve të burgimit kam humbur babanë dhe mendoja kaq shumë. Nëse Papa do donte të më takonte për vetëm një minutë, dhe nëse do më jepej leje speciale për të udhëtuar në Romë, natyrisht me shpenzimet e mia, do të doja ta përqafoja atë”, ka thënë sot Imishti, raporton gazeta Brescia.Corriere.it, transmeton Insajderi.

Samet Imishti kishte jetuar plot 16 vite në Itali, por autoritetet e atjeshme për arsye ende të panjohura, para tre viteve i kishin ndërprerë leje qëndrimin duke e kthyer në Kosovë.

Ai edhe pasi ishte kthyer, ka vizituar familjarët e tij atje, ku edhe është ngritur dyshimi tek autoritetet italiane.

Imishti kishte thënë se “ky Papë do të jetë i fundit”, duke iu referuar Papa Françeskut. Këto fjalë Policia Italiane i kishte dëgjuar në përgjimet telefonike të Imishtit dhe grupit të tij.

Tani, Samet Imishti jeton në Kosovë, ku edhe punon.