Houstoni është goditur nga uragani “Harvey” ditë më parë, dhe gjendja e rëndë po vazhdon në këtë qytet.

Në ndihmë të të prekurve nga uragani iu ka dalë edhe kosovari Mentor Fejzullahu, i cili kishte shkuar në SHBA pas luftës në Kosovë, transmeton Koha.net. Ai këto ditë ka bërë punë vullnetare për të shpëtuar njerëzit në Houston.

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku përmes një postimi në Facebook ka shpërndarë disa foto të punës së tij vullnetare, për të cilin thotë se është shumë krenar.

“Njihuni me Mentor Fejzullahun. Mentori erdhi në Amerikë pas luftës së Kosovës dhe tani jeton në Houston, Texas. Houstoni po përballet me një sfidë të madhe për shkak të uraganit Harvey. Si gjithmonë, katastrofat e këtyre madhësive arrijnë të shfaqin më të mirën që ka për të ofruar njerëzimi, guximin dhe solidaritetin. Kujdesuni për njëri-tjetrin”, ka shkruar Çitaku.

Ajo më tutje thotë se, “Mentori këto ditë ka qenë vullnetarë për të shpëtuar njerëzit. Kur sot kam folur me të gjatë ditës nuk më tha asnjë gjë, por njerëzit e tjerë nga Houstoni më treguan. Nuk mund të isha më shumë se kaq krenare për Mentorin”.