Një zjarr i fuqishëm ka rënë  në zonën mes fshatit Lekas dhe Voskopojë në Korçë, i cili ka vënë në rrezik masivin pyjor në këtë territor.

Bëhet e ditur se terreni i thyer dhe pamundësia për të ndërhyrë më zjarrfikëse ka bërë që drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave civile t’i kërkojë kompanisë “VIVA Helikopters” dërgimin urgjent të një helikopteri për të shuar zjarrin.

Në shkresën që Emergjencat i dërgojnë VIVA-s thuhet se:

“Zjarri ka rënë në vendin e quajtur “Përroi i Qershisë” mes fshatrave Lekas e Voskopojë dhe ka përhapje në një sipërfaqe të madhe, duke rrezikuar kështu të gjithë zonën pyjore”, thuhet në shkresën që emergjencat i kanë dërguar VIVA-s.

Ndërkohë kujtojmë se, “në 24 orët e fundit, operacionet e VIVA-s përkrah Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile janë përqendruar në Rrogozhinë”.

Drejtoria e Emergjencave Civile ka evidentuar se zjarri në këtë zonë ka qenë në një sipërfaqe të madhe pyjore dhe ka qenë e pamundur të veprohej me forca të tjera.

VIVA vijon bashkëpunimin me Emergjencat Civile, shërbimet zjarrëfikse dhe forcat e armatosura në këtë situatë të vështirë në të cilën ndodhet vendi me 5 vatra aktive zjarri.