Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Kadri Veseli është bllokuesi i vërtet i institucioneve të Kosovës dhe se ai nuk mund të kushtëzojë askënd për formimin e qeverisë së Kosovës.

Sipas Konjufcës i cili u shpreh nga foltorja e kuvendit, qeveria duhet të formohet nga shumica e cila përbëhet nga LDK dhe VV, kurse shprehu gatishmërinë e VV-së për të votuar një kandidat tjetër të PAN-it.

“Kadri Veseli nuk është në gjendje që ta na kushtëzojë për të zgjedhur qeverinë e ardhshme të Republikës së Kosovës. Qeverinë duhet ta bëj kjo përbërje që është sot këtu, VV me LDK-në me pakicat që natyrisht do t’i bashkoheshin një mazhorance të konfirmuar në republikën e Kosovës”.

“Qytetarët dje dhe sot po e kuptojnë kush është bllokuesi i vërtet i themelimit të einstitucioneve në Kosovë. Janë ata që nuk janë të pranishëm këtu sot. Pse ata nuk janë të pranishëm është sepse janë barikaduar në mënyrë të verbër prapa një figure politike e cila nuk i ka sjellë asnjë të mirë të Kosovës”.

“Ata e kanë në dorë zhbllokimin e institucioneve të Kosovës. Nëse ndryshojnë kandidatin, jemi të gatshëm të shqyrtojmë një opsion të ri, të zgjedhet kryeparlamentari dhe të ecim në fazën e ardhshme, krijimin e qeverisë së Kosovës”, theksoi Konjufca. /Telegrafi/