Udhëheqësi i Personelit në Komunën e Drenasit, Gëzim Shishani, që nga data 11.08.2017, është pezulluar nga puna me pagesë për tre muaj nga kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci.

Shishani, sipas një komunikate të Komunës së Drenasit, është pezulluar nga puna pas një Raporti mbi Auditmin e kryer me kërkesë të veçantë me temën; “Auditimi i dosjes personale për nëpunësin civil Gëzim Shishani – Rishikimi i nivelit të pagës në harmoni me titullin e vendit të punës” të Auditorit të Brendshëm të datës 04.08.2017.

“Shishani nga nëntori i vitit 2008, supozohet se kishte keqpërdorur pozitën zyrtare, duke marr pagë me koeficientin 11.3 që ishte në kundërshtim me të gjitha normat ligjore. Po ashtu z. Shishani nuk kishte zbatuar vendimin e ish-kryetarit të Komunës së Drenasit, z. Nexhat Demaku, i vitit 2015 i rekomanduar nga Auditori i Jashtëm për zbritjen e koeficientit në 9.5. Paraqitja e ankimimit nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit siç ka pretenduar z. Shishani, sepse në këtë rast kemi të bëjmë me një hetim të veçantë”, thuhet në komunikatën e Komunës së Drenasit.

Të gjitha lajmet tjera të publikuara në mediat elektronike rreth rastit Shishani, pos asaj të lartcekur, Komuna e Drenasit thotë se “janë spekulime dhe të pavërteta”.

“Lajmi nga Komuna e Drenasit nuk është bërë publik pasi që z. Gëzim Shishani do t’i nënshtrohet një hetimi të veçantë lidhur me raportin e Auditorit dhe shkeljeve të tjera të supozuara”, përfundon Komuna e Drenasit njoftimin e saj.