Me vendosjen e kurorës me lule para përmendores së Hasan Prishtinës dhe vizitës së mozaikut në Kompleksin Memorial “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” për të reflektuar rreth së kaluarës sonë të lavdishme dhe ruajtjes së idealeve kombëtare brez pas brezi, pasardhësit e kryengritësve të shquar dhe historianë të vendit shënuan sot 105 vjetorin e çlirimit të Shkupit. Krenar me veprën e lavdishme të paraardhësve të tyre, Mehmet Prishtina – pasardhës i Hasan Prishtinës, Gazmend Boletini – pasardhës i Isa Boletinit dhe Sylë Zhitia – vëllai i Afrim Zhitisë shikonin sot mozaikun e vendosur në Sheshin Skenderbeu të Shkupit në të cilin me mjeshtëri të veçantë estetike e artistike është përshkruar rrugëtimi ynë kombëtar ndër shekujt e historisë dhe kujtonin kontributin e familjarëve të tyre që sot Shkupi të frymojë shqip. Ata vlerësojnë lartë punën kombëtare që Komuna Çair dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup po bëjnë në vazhdimësi për të ruajtur thesarin historik e kulturor që na bashkon shpirtërisht kudo që të ndodhemi.

Mehmet Prishtina: “E shënojmë çlirimin e Shkupit, për mua ka një barrë të veçantë, njëkohësisht po bëhet edhe inaugurimi i memorialit i cili përfshin në kronologji të gjitha periudhat historike duke filluar nga Lidhja e Lezhës, Lidhja e Prizrenit, 28 Nëntori deri te lufta e lavdishme e UÇK-së.

Gazmend Boletini: “Mendoj se nga viti 2012 kemi filluar së bashku me Institutin e Trashëgimisë në Shkup dhe Komunën Çair ti ngrisim vlerat historike të popullit tonë. Shkupi është një nga qytetet që na mbjell vazhdimësi dhe i thërras të gjithë që të marrin pjesë edhe viteve tjera për të nderuar çlirimin e Shkupit”

Sylë Zhitia: “Shkupi si kryeqendër e vilajetit të Kosovës për ne të gjithë ka një rëndësi të jashtëzakonshme. E rëndësishme është që edhe figura e Afrimit është e përjetshme në këtë mural – mozaik.

Këtë ngjarje me peshë të madhe në faqet e historisë e nderuan historiani dhe drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup z. Skender Asani i cili në detaje shpjegoi kuptimin e mozaikut të vendosur në Sheshin Skenderbeu dhe punën që me përkushtim po realizohet në Shkup për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe historiani Nebi Dervishi.

Skender Asani: “105 vjetori i çlirimit të Shkupit është një ngjarje e madhe në histografinë shqiptare sepse e përshpejtoi rrumbullakësimin e konceptit të krijimit të shtetit me 28 Nëntor të vitit 1912. Sa i përket kësaj date Shkupi e pret me një ngjarje, koncept të jashtëzakonshëm sidomos me Sheshin Skenderbeu dhe muralin – mozaikun që po e shohim pas meje i cili rrumbullakëson gjithë historinë e shqiptarëve në Ballkan. ”

Historiani Nebi Dervishi: “Mozaiku është një kryevepër e cila e jetëson historinë kombëtare duke filluar nga shekulli 15 e duke u dhënë peshë besëlidhjes së Lezhës, Lidhjes së Prizrenit duke pasqyruar të gjitha figurat eminente në periudha të ndryshme historike.”