Rojat bregdetare kolumbiane sekuestruan 1,7 ton kokainë që arrinte vlerën e më shumë se 55 milionë dollarë dhe arrestuan tetë persona gjatë inspektimit të dy barkave përgjatë brigjeve të Paqësorit, njoftoi sot Marina.

Droga ndodhej në bordin e dy barkave të kapura ndërkohë që ishin nisur drejt Amerikës Qendrore, një prej rrugëve më të përdorura nga narkotrafikantët për të dërguar kokainën deri në SHBA, konsumatori i parë botëror, përcjell Atsh.

“Dy operacionet u kryen në të njëjtën kohë, në portin e Tumaco, në rajonin Narino, kufi me Ekuadorin dhe vlera monetare e ngarkesës së sekuestrur arrinte në rreth 57 milionë dollarë”, theksoi Marina në një komunikatë.