Sukseset e klubeve sportive kombëtare kohëve të fundit po shënojnë ngritjen më të madhe profesionale dhe promovimin e vlerave tona sportive.  Dëshmi e qartë e përkushtimit dhe profesionalizimit për të arritur piadestalin e suksesit është pikërisht puna e Klubit të Futsalit “Shkupi”. Pas shpalljes kampion shtetëror në futsal, klubi i mirënjohur do të udhëtojë sot në Linz të Austrisë ku do të merr pjesë në Ligën e Kampionëve Europian. Për ti përgëzuar për sukseset e deritanishme dhe për t’ju uruar fat e përfaqësim dinjitoz në turneun prestigjioz ndërkombëtar, futbollistët dhe kryesia e Klubit të Futsalit “Shkupi” u mirëpritën nga kreu i Komunës së Çairit Izet Mexhiti në prezencë edhe të Zëvendës Ministrit të Arsimit dhe Shkencës z. Visar Ganiu.

Kryetari Mexhiti potencoi se gjithmonë përcjell dhe përkrah me përkushtim maksimal punën e klubeve sportive pasi që është obligim moral investimi dhe stimulimi i kreativitetit rinor dhe sportiv për promovim ndërkombëtar. “Rruga e suksesit është e mundimshe, kërkon sakrificë e përkushtim. Me punën tuaj profesionale ju arritët të bëheni krenaria jonë duke u shpallur kampion shtetëror, kurse tani ju urojmë suksese dhe përfaqësim dinjitoz edhe në arenën ndërkombëtare. Afirmimi i vlerave tona sportive në mbarë botën mbetet prioritet dhe falë pasionit tuaj për futbollin jam i sigurtë se do të ketë vazhdimësinë e duhur.” – theksoi ndër tjerash kreu i Komunës së Çairit.

Zëvendës Ministri për Arsim dhe Shkencë, Visar Ganiu duke e pasur parasysh përvojën e tij profesionale si trajner inkurajoi futbollistët që të kenë qetësinë e duhur para çdo ndeshje, larg çdo presioni dhe të kujtojnë se ata janë veçmë në majën e futbollit pasi vet pjesëmarrja në një kompeticion të përmasave kaq të mëdha flet për pasionin, vetëbesimin dhe harmoninë sportive që ky grup ka krijuar e pikërisht këto janë cilësitë që të ngrisin në majën e suksesit.

Futbollistët dhe Kryesia e klubit të futsalit “Shkupi” në krye me kryetarin e klubit dhe Drejtorin e Shtëpisë së Shëndetit – Shkup, z. Besim Koka falemnderoi kreun e Komunës së Çairit për përkrahjen e vazhdueshme dhe kontributin e pamohueshëm në sukseset e arritura duke shpresuar në vazhdimësinë dhe thellimin e bashkëpunimit për fitore të reja në vend dhe në arenën ndërkombëtare.

Global