Ka ditë që flitet më të madhe se futbollisti Philippe Coutinho do të kalojë në radhët e skuadrës së Barcelonës. Ndryshe mendon trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, sipas tij ai nuk do të largohet. Ai ka përsëritur qëndrimin e tij dhe të klubit të Liverpoolit, për të mos shitur Philippe Coutinho te Barcelona, pasi “të kuqtë” refuzuan 100 milionë euro për mesfushorin brazilian. Trajneri gjerman ka kujtuar se futbollisti ka edhe pesë vjet kontratë me Liverpoolin dhe se klubi nuk ka ndërmend të shesë “yjet” që janë në “Anfield Road”. Liverpool e ka nisur emrin e Coutinhos në listën që është dorëzuar te UEFA për futbollistët që do të marrin pjesë në Champions League.

“Liverpool nuk është një klub që shet futbollistë dhe kjo është baza e politikës tonë. Në fund të fundit, nuk ka rëndësi sa ofron Barcelona. Nuk ka një çmim të caktuar për të cilin do të pranonim largimin e Coutinho. Ne synojmë të bëhemi skuadra më e mirë në Europë dhe për këtë do të mbajmë të gjithë futbollistët e rëndësishëm që kemi në skuadër”, ka thënë Klopp. Më tutje trajneri i ‘Redsave’ ka thënë se Coutinho është i pazëvendësueshëm tash për tash: “Sot, në planet nuk ka më futbollistë të paprekshëm, por edhe një transfertë ka kohën e saj dhe modalitet që duhen ndjekur. Ndonjëherë mund të pranosh ofertat, por vetëm nëse ke një alternativë gati. Ky nuk është rasti i Coutinhos. Ai është i pazëvendësueshëm dhe ne s’kemi pse ta shesim”. Coutinho konsiderohet si zëvendësim adekuat për Neymarin e larguar nga Barcelona.