Pritet të dëmtojnë rëndë ekonominë e shtetit komunist në kulmin e tensioneve për programin bërthamor

Kina ka vënë në fuqi sanksionet e ashpra tregtare ndaj Koresë së Veriut, të miratuara nga Këshilli i Sigurimit i OKB’së. Sanksionet kineze pritet të dëmtojnë rëndë ekonominë e shtetit komunist në kulmin e tensioneve për programin bërthamor. Kina është partneri më i rëndësishëm tregtar i Koresë së Veriut.

Kina është aleati dhe partneri më i ngushtë tregtar i Koresë së Veriut. Nga tregtia me Kinën varet shumë edhe ekonomia koreanoveriore. Por në kulmin e tensioneve mes Penianit dhe Uashingtonit për programin bërthamor të shtetit komunist, Kina është distancuar nga partneriteti me fqinjin e saj.

Ministria e tregtisë në Pekin miratoi hyrjen në fuqi të paketës së re të sanksioneve të ashpra ekonomike ndaj Koresë së Veriut. Ato që u kërkuan përmes rezolutës së fundit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që u votuan unanimisht edhe me mbështetjen e përfaqësuesve kinezë.

Prej të hënës, Kina nuk do të importojë më qymyr, hekur, plumb dhe peshq nga Koreja e Veriut. Eksporti i këtyre produkteve drejt Kinës i jepte deri më sot frymëmarrje ekonomisë koreanoveriore, në mes të bllokadës së rëndë ndërkombëtare. Kina është importuesi kryesor për produktet nga Koreja e Veriut, tregti prej së cilës sipas të dhënave më të fundit, ato të vitit 2015, shteti komunist përfitoi 2.34 miliardë dollarë.

Prej 2006, Kombet e Bashkuara kanë në vënë në fuqi sanksione të ashpra ekonomike për Korenë e Veriut, për ta detyruar shtetin komunist të heqë dorë nga programet për zhvillimin e programeve raketore dhe bërthamore.