Kina po diskuton me anëtarë të tjerë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një “përgjigje” pas lëshimit nga ana e Koresë së Veriut të një rakete balistike mbi territorin e Japonisë, njoftoi sot ministri kinez i Punëve të Jashtme.

Wang Yi u shpreh nga Pekini, disa orë pasi Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dënoi në mënyrë të ashpër dhe unanime lëshimin e raketës të kryer të hënën nga ana e Phenianit.

“Kina, mbështetësja kryesore diplomatike e Koresë së Veriut është në fazë diskutimi me anëtarë të tjerë të Këshillit të Sigurimit rreth zhvillimeve të fundit të situatës”, deklaroi ministri, gjatë një konference shtypi fillimisht dedikuar samitit të ardhshëm të Brics (Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut).

“Në bazë të konsensusit që do të arrijmë mes anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB, do të kemi përgjigjen e nevojshëm përballë këtij testi të ri koreano-verior”, njoftoi Wang.