Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka prezantuar “superraketën” e tij, për të cilën pretendon se mund të arrijë të godasë qytetet kryesore amerikane, përfshirë Washington e New York.

Koreja e Veriut ka kërcënuar më parë ta bëjë Shtëpinë e Bardhë shkrumb e hi nëse provokohet dhe tani në Amerikë ekziston frika se ai mund të jetë në gjendje ta bëjë vërtet diçka të tillë.

Ekspertët thonë se raketa trifazëshe e quajtur Hwasong-13 mund të përshkojë 12 mijë kilometra, çka e bën të aftë të shkojë deri në bregun lindor të SHBA.

Koreanët kanë shfaqur edhe një hartë objektivash të mundshëm, ku përfshihen Honolulu, Washington, Austin dhe San Diego.

Prezantimi i raketës së re bëhet teksa SHBA dhe Koreja e Jugut po zhvillojnë manovra të mëdha ushtarake në gadishullin korean.