Administrata e Presidentit Trump duket se ka vënë të gjitha opsionet në tryezë për t’i bërë ballë kërcënimit të Koresë së Veriut.

Këshilltari për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, H.R. McMaster, tha në një intervistë se Pentagoni po përgatiste plane për një “luftë parandaluese”.

“Nëse më pyesni nëse po përgatisim plane për një luftë parandaluese, atëherë ju përgjigjem që po. Një luftë për t’i dhënë fund kërcënimeve për një sulm bërthamor nga Koreja e Veriut drejt Shteteve të Bashkuara”, u shpreh deklaruar McMaster.

Ai shtoi se presidenti amerikan,Donald Trump ka qenë shumë i qartë kur tha se, nuk do t’i tolerojë më kërcënimet e Kim Jong-un.

“Për presidentin është e patolerueshme që ata të zotërojnë armë bërthamore dhe të kërcënojnë Shtetet e Bashkuara, ndaj dhe opsioni ushtarak është mbi tryezë”, ka thënë McMaster.

Këshilltari i Trump është shprehur i vetëdijshëm se çdo sulm ndaj Koresë së Veriut mund të sjellë një luftë e cila mund të shkaktojë vuajtje të mëdha për popullsinë koreane.