Ish deputeti i PS-së Arben Malaj mendon se theksi ku duhet drejtuar vëmendja kur fjala vjen për kabinetin e ri “Rama2”, nuk është forma apo madhësia e saj, më shumë sesa performanca që do të ketë kjo qeveri në ekonomi.

I ftuar në rubrikën e opinionit në News24, Malaj u shpreh se debati që duhet shtruar është efiçenca e kësaj qeverie si dhe vënia vath në vesh e premtimi të Ramës, se shteti do të ndërhyjë shumë më pak në sektorin e sipërmarrjes.

“Një qeveri konsiderohet e madhe ose e vogël në  raport me atë që prodhon ekonomia. Qeveria shqiptare vazhdon të jetë e vogël dhe mendojmë se përmasat e saj do të vijnë duke u rritur që të plotësojë shërbimet publike. Debati që shtrohet është a do të jetë efiçente kjo qeveri. Rigrupimi i ministrive, agjencive publike, inspektoriateve, një qeveri duhet të jetë e vogël në ndërhyrjen e saj në biznes. Duhet të ndërhyjë sa më pak dhe të krijojë sa më shumë kushte për biznesin. Kryeministri ka premtuar qeveri me ndërhyrje të  vogla, dhe kjo duhet testuar. Do shihet sa ulet papunësia, varfëria, sa rriten barazitë e mundësive për të qenë të suksesshëm,”

ish ministri socialist i financave tha se bashkimi i Ministrisë së Financave me atë të ekonomisë gjendet në vendet e zhvilluara, por, duhet parë në kjo shkrirje do të sjellë performancë pozitive.

“Bashkimi i Financave me Ekonominë gjendet tek vendet e zhvilluara. Në disa vende, ministria e ekonominë nënkupton biznesin, nxitja e tregtisë së lirë, pra ka një kuptim që janë bashkë. Është ministri e madhe, duhet dalluar dhe punësimi. Sfida është me kohën, se qeveria mandatohet për 4 vite, duhet parë se sa kohë i duhet që të bëhet efektiv një mekanizëm i tillë.”-tha Malaj.

I pyetur nëse qeveria “Rama1″ ishte apo jo performante në terma ekonomikë, Arben Malaj tha:

“Rritja ekonomike kurrë nuk mjafton. Kemi pasur rritje ekonomike por kemi pasur thellim pabarazie. Kanë shkuar paratë vetëm në disa duar. Duhet të dalim nga përqindjet, nuk është vetëm rritja ekonomike. Ka dhe indikatorë të tjerë. E rëndësishme është që njerëzit të mos mbesin pa punë, se rritet dhe pakënaqësia, që ndikon në shoqëri”.