Valdete Idrizi, që synon të fitojë garën për kryetar të Komunës së Mitrovicës, ka thënë se problemi i këtij qyteti është i ndjeshëm.

Idrizi, e cila është nominuar nga PDK, për zgjedhjet lokale në Mitrovicën e Jugut, ka thënë se në mandatin e saj do të ndërtohen ura bashkëpunimi në këtë qytet.

“Problemi i Mitrovicës është i ndjeshëm dhe jo rrallë herë është tentuar që tu lihet faji qytetarëve, por ata nuk kanë faj. Mungesa e lidershipit atje ka ndikuar në moskthimin e qytetarëve në veri”, ka thënë ajo në Klan Kosova.

Idrizi ka pohuar se i njeh problemet e qytetarëve të Mitrovicës, pasi që atje ka jetuar dhe është përballur edhe vetë me to.

“I kam parë problemet dhe e di se mund të ecet përpara dhe të përmirësohet mirëqenia e qytetarit”, ka thënë Idrizi.

“Një prej faktorëve që më ka bërë të besoj është se qyteti do të integrohet dhe nuk do të mbetet i ndarë”, ka shtuar ajo.

“Komunikimi është i rëndësishëm por ai duhet të bëhet edhe fizik që njerëzit të mësohen andej edhe këndej. Me një qasje të mirë dhe përkushtim duhet të identifikohen partnerë dhe organizata që të zbutet ndarja”, ka pohuar Idrizi.

Ajo ka thënë se tërë kohën e pasluftës në Mitrovicë ka pasur njerëz e politikan që kanë refuzuar bashkëpunim, por që është gjetur zgjidhje.

“Ka pas njerëz tjerë, Rakiqa të tjerë që kanë qenë pengesa të mëdha, por i kemi gjetë mënyrat për tu diskutuar për krimet dhe problemet dhe të flitet hapur për temat tabu. Me punë zbutet gjithsecili dhe me partneritet shumë të mirë”, ka deklaruar ajo.

“Gruaja më e guximshme” siç njihet Idrizi vetë është e lindur në Veri të Mitrovicës, kurse pasluftës ka jetuar në Jug. Ajo ka thënë se atje kanë banesën e vetë e cila dikur ka qenë e uzurpuar kurse tash nuk jeton aty askush dhe se ajo është e dëmtuar nga uzurpatorët.

Ani pse nuk jeton në shtëpinë e saj në veri, ajo shpesh e viziton këtë zonë, për të cilën thotë se duhet të integrohet.

“Jam optimiste e papërmirësueshme më bën që të mos zmbrapsem, sepse kam arrit që t’i shtyjë muret dhe të krijojë ura bashkëpunimi”, ka thënë Idrizi.

“Në vazhdimësi kam shkuar në veri dhe tash shkoj në veri. Në Mitrovicë ka lagje që nuk kanë fare ujë. Qytetarët atje nuk mendojnë për politikën por për mirëqenien e vetë. Ka shumë probleme të mëdha që duhet të zgjidhen”, ka pohuar ajo.