Botuesi Azam Dauti propozohet si kandidat i pavarur për komunën e Çairit. Propozimi ka ardhur nga Shoqata e Botuesve Shqiptar, e cila ka kërkuar përkrahje të gjerë për Dautin.

“Përmes mediumit Tuaj, e njoftojmë opinionin, që SHBSH pranoi dhe analizoi Propozim Ofertën e Azam Dautit, drejtuar OJQ-ve dhe Partive politike garuese në Çair, duke përjashtuar vetëm lidershipin aktual të VMRO-DPMNE-së. Gjithashtu, i kushtuam vëmendje të posaçme edhe Propozim idesë së tij për ndërtimin e Çairit, të titulluar “Çairi: Shkupi i Vjetër – Shkupi i Ri”, dhe si përfundim i yni sollëm këtë. Vetë oferta e tij drejtuar të gjitha OJQ-ve dhe partive garuese në Çair, përveç kryesisë aktuale të VMRO-së, dëshmon karakterin gjithëpërfshirës që tenton të arrijë kandidati për kryetar komune. Duke njohur aktivitetin e tij në SHBSH, nuk dyshojmë fare se këto pretendime të tij, ai do t’i bëjë realitet, sepse aftësia e tij komunikative, e hapur, e sinqertë, profesionale dhe e drejtë, do të bëjë që shumica e qytetarëve të Çairit ta mbështesin projektin e tij ndërtimor “Çairi: Shkupi i Vjetër – Shkupi i Ri”, thekson SHBSH, duke kërkuar që ky propozim të përkrahet edhe nga OJQ-të dhe partitë politike.