Italianët po rrinë në shtëpi dhe po mënjanojnë plazhet e tyre për shkak të temperaturave ekstreme mbi 40 gradë Celcius që kanë përfshirë pothuajse të gjithe vendin mesdhetar.

Ministria italiane e Shëndetësisë nxori Nivelin 3 të alarmit për temperatura të larta për qytete si Bolcano, Bari, Milano, Romë, Torino, Firence dhe Venecia.

”Vala e të nxehtit rrezikon shëndetin e gjithë popullsisë dhe jo vetëm atë të fëmijëve apo atë të atyre që vuajnë nga sëmundjet, kështu që të gjithë janë të lutur të qëndrojnë në shtëpi në intervalin orar 11:00-16:00 si edhe të mënjanojnë rrezet e diellit”, tha ministria e sipërcituar me anë të një deklarate, përcjell Atsh.

”Shkaku i valës së të nxehtit është mbërritja e një sistemi të presionit të lartë të ardhur nga Afrika, e njohur si ‘Lucifer”, sipas shërbimit italian të meteorologjisë, ilmeteo.it.

Shumë rajone në Itali po vuajnë edhe mungesën e ujit duke çuar në racionimin e tij, gjë që ka ndodhur edhe në kryeqytetin e vendit, Romë.