Japonia sot e ka shënuar 72 vjetorin e sulmit të parë atomik në botë në Hiroshimë.

Duke folur në ceremoninë në Parkun paqësor memorial Hiroshima, kryeministri i Japonisë, Shunxo Abe tha se Japonia angazhohet për një botë pa armë bërthamore në mënyrë në të cilën të gjitha shtete mund të arrijnë pajtueshmëri më këtë.

“Që të kemi botë pa armë bërthamore, nevojitet pjesëmarrje e shteteve që kanë armë bërthamore si dhe e shteteve që nuk e kanë atë”, tha Abe. Japonia sipas tij, “do t’i inkurajojë edhe ata edhe ata”.

Japonia është i vetmi vend që i ka përjetuar dy sulme atomike në Hiroshimë dhe Nagasaki në vitin 1945, raportojnë agjencitë nga kryeqyteti Tokio.

Sulmi në Hiroshimë u bë më 6 gusht të vitit 1945, ndërsa tri ditë më vonë u krye edhe sulmi i dytë në Nagasaki, nga Shtetet e Bashkuara, në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Japonia e shpalli kapitullimin më 15 gusht të vitit 1945.

Nga këto sulme janë vrarë 140 mijë vetë në Hiroshimë dhe 74 mijë vetë në Nagasaki. Disa vdiqën menjëherë, ndërsa të tjerët vdiqën pas disa javëve, muajve apo viteve, për shkak të plagëve apo sëmundjeve të ndërlidhura me rrezatim.

Shumë njerëz në Japoni konsiderojnë se këto sulme ishin krim lufte, pasi në shënjestër ishin civilët dhe për shkak të natyrës së jashtëzakonshme shkatërruese të këtij armatimi.

Por shumë amerikanë besojnë se sulmet e kanë përshpejtuar përfundimin e konfliktit të përgjakshëm dhe përfundimisht i ka shpëtuar jetët, duke konsideruar se kjo i arsyeton sulmet e Shteteve të Bashkuara me bombë atomike.