Gjithsej 31.345 kilogramë marihuanë janë zbuluar dhe konfiskuar gjatë bastisjes së një barake në afërsi të autokampit “Andon Dukov” në Ohër, në aksionin e Sektorit për polici kriminale pranë MPB-së së bashku me SPB Ohër.

Siç informon MPB-ja, aksioni është realizuar dje në afërsi të autokampit “Andon Dukov”, pas urdhrit paraprakisht të marrë. Është kryer bastisje në një barakë metalike në pronësi private në afërsi të kampit, ku janë hasur dy persona nga Ohri, ndërsa janë zbuluar edhe katër thasë najloni me ngjyrë të zezë, në të cilat kishte 16 pako najloni me marihuanë në masë të përgjithshme prej 31.345 kilogramë.

Personat janë privuar nga liria dhe nga kontrollet e kryera është konfirmuar se për momentin ata ishin në vuajtjen e dënimit me burg në Burgun e Strugës, ndërsa paraprakisht të dënuar me dënim me burg prej gjashtë vjet e gjysmë, respektivisht gjashtë vjet, për vepra penale në fushën e trafikimit të paligjshëm me drogë: Njëri prej personave kishte qenë në burg me mundësi për të dalë çdo ditë jashtëm ndërsa personi tjetër ishte i dënuar në arrati.