Në plazhin e Strugës që ishte në pronësi të tij, u qëllua sot me armë zjarri Dilaver Bojku që njihej me nofkën Leku. Sulmi ndodhi në rreth orës 16:45 në kafiterinë “Aqua Bluesky” që ishte gjithashtu pronë e Bojkut.

Me lëndime të rënda Bojku u dërgua në Spitalin e qytetit. Nga policia deri më tani nuk japin detaje, ndërsa në proces është formimi i ekipit hetues policor që do të punojë në zbulimin e rastit.

Para 15 viteve Bojku fitoi epitetin “Bosi ballkanik i prostitucionit” që më pas rezultoi me burgosjen e tij, me dënime minimale që i mundësuan edhe ikjen nga Maqedonia. Më pas ishte arrestuar në Mal të Zi, duke u ekstraduar përsëri në Maqedoni. Së fundmi Bojku u fut në biznes legal me turizëm dhe hotelieri.