Paradokset dhe lojërat partiake- politike në fokus të të cilave është Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve-Shkup nuk kanë të ndalur. Një paradoks absurd ka ndodhur dje (04 gusht) kur Institutit i është drejtuar një Shoqatë e Avokatëve me emrin Kostiq, Vellkovski, Cvetanovska, e cila thirret në autorizimin e Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë duke na njoftuar se më 5 gusht (e shtunë) do të mbahet mbledhje urgjente konstituive e Këshillit Drejtues, i cili edhe pse organ joekzistent në Institut, shih për çudi qenka zgjedhur në përbërje të re.

“Lajthitje institucionale- qeveritare që s’do mend se nuk i shërben depolitizimit, për të cilin flasin gojën plot drejtuesit e Qeverisë së re të Zaevit”, njofton ITSHKSH.

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup njofton se në bazë të Ligjit për Veprimtari Hulumtuese- Shkencore dhe Statutit të ITSHKSH-së, Instituti nuk ka Këshill Drejtues, por ka vetëm Këshill, i përbërë nga 6 anëtarë të brendshëm të ITSHKSH-së dhe 3 anëtarë të jashtëm, të cilët i emëron Qeveria e Republikës së Maqedonisë.

“Mbledhjet e Këshillit të ITSHKSH-së mbi baza statutare dhe legale i cakton kryetari i Këshillit të ITSHKSH-së varësisht nga nevojat që ka Instituti, e jo ndonjë organ tjetër e aq më pak ndonjë Shoqatë e Avokatëve. Mbledhja e Këshillit nuk mund të thirret sot për nesër, pa nevojë, pa rend dite, edhe atë në kulmin e pushimeve verore! Kujt i shërbejnë për nder këto presione të pushtetit ndaj punës së një instituti shkencor?!”, thuhet në kumtesën e Institutit.