Dy shqiptarë, R.L 30 vjeç dhe D.H 23 vjeç, të dy nga Vlora kanë përfunduar në prangat e Guardia Di Finanza-s së Barit.

Dy të rinjtë nga Vlora akuzohen për posedim dhe trafikim ndërkombëtar droge. Ata u kapën në det në drejtim të bregut të Leçe, ndërsa ndodheshin mbi një gomone 7 metra të gjatë me një motor të fuqishëm, ku kishin ngarkuar 633,85 kilogramë marijuanë.

Dy shtetasit shqiptarë u përpoqën të shpëtonin duke e hedhur ngarkesën në det, por nuk ia dolën mbanë.

Sipas mediave italiane, të dy vlonjatët do të dalin para autoriteteve gjyqësore vendase.

Marijuana ishte paketuar në 22 pako të madhësive të ndryshme dhe nëse do të shitej në tregun e zi, do të siguronte më shumë se 6 milionë euro fitime për trafikantët.