Ish-shoferi i konsullatës së Kosovës në Amerikë Albert Veliu, i njohur me nofkën “Beny Blanko”, i cili u akuza për trafikim me armë, zhvatje dhe pastrim parash, është duke kërkuar që të lirohet me kusht, duke ofruar një shumë prej 750 mijë dollarë, shkruan Insajderi.

Ish-shoferi i Konsullatës së Kosovës, i cili ka punuar për një kohë të gjatë në konsullatën e Kosovës në Amerikë do të ballafaqohet me akuzat në Gjykatën e Brooklynit, raporton Daily News.

Prokurorët federalë të Brooklynit pretendojnë se Albert Veliu u përpoq të organizonte një shitje prej më shumë se një duzine “AK-47” dhe një raketë – municionesh të cilat i quante “atlete” dhe një “sneaker me madhësi Shaq”.

Veliu ishte shofer që nga viti 2012 derisa konsullata e largoi atë gjatë kësaj vere. Prokurorët thonë se Veliu u mburr me burimet e tij të fshehta në Agjencinë për Zbatimin e Anti Drogës, që puna e tij të jetë më e lehtë gjatë kontrabandimit me armë përmes aeroporteve.

Banori 34-vjeçar i Staten Island ka qenë i burgosur që nga fundi i qershorit nën akuzat se ishte pjesë e një unaze kriminale.

Avokatët e Veliut kanë ofruar një shumë në vlerë prej 750,000 dollarë për ta liruar me kusht. Ata kanë argumentuar se Veliu është një njeri familjar dhe pa të kaluar kriminale.

Mirëpo Gjyqtarja Pamela Chen e ka mohuar të mërkurën ofertën e avokatit Veliu duke e konsideruar atë si një person të rrezikshëm për komunitetin dhe i cili mund të ik nga vendi.

Albert Veliu është arrestuar në qershor të këtij viti me një grup shokësh, pas një operacioni të DEA-as në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, për shkak se ai kishte bërë pastrim parash, trafikim me narkotikë dhe shitje të armëve.

Në arrestimin e tij kishte bashkëpunuar edhe një pjesëtar (agjent sekret) i Policisë së Kosovës, kishte raportuar mediumi amerikan SILive.com. Ai i kishte “ndihmuar” Veliut që ta shiste armatimin e tij në Kosovë, shkruan ky medium.

Veliu së bashku me një tjetër shtetas amerikan të akuzuar për veprën e njëjtë, Christopher Curanovic, bashkëpunëtor i “La Cosa Nostra”, kishin krijuar një skemë të paligjshme të pastrimit të parave, përmes shitjes së drogës.

Të pandehurit kanë pastruar afërsisht 800,000 dollarë që dyshohet të jenë nga të ardhurat e shitjes së drogës.

Veliu rrezikon deri në 20 vjet burg, nëse shpallet fajtor për veprat për të cilat është akuzuar.