Ish këshilltari i ish kryeministrit shqiptar Fatos Nano ka publikuar këtë të enjte një status në facebook si reagim ndaj deklaratës së Kreut të Eemergjencave Civile Shemsi Prençi, i cili u shpreh se pritet që në Shqipëri të ketë lëkundje të forta sizmiologjike, si ato të vitit 1967.

Por sipas Ylli Dylgjerit, një parashikim i tillë është qesharak dhe duket sikur e vë në pozitat e një “magjistari” atë që duhej thjesht të kryente detyrat e një drejtuesi për emergjencat civile.

 Për më tepër lexoni të plotë reagimin e Ylli Dylgjerit për deklaratën e Prençit:

Magjistari Prençi( Shemsi) parashikon tërmet!

Po, po, edhe si tërmeti i vitit 1967 -na thotë. Shkon dhe më tej me krahasime shkencore. Tërmetet thotë Prençi kthehen 1 herë në 50 vjet! Mirë që s’thotë që ngjajnë dhe me diktaturat! Por jo! Atë që se parashikon amerikani e japonezi e parashikon Prençi.
Sapo e lexova këtë lajm në BallkanWeb, që më rëntë termeti, mora në telefon nje Profesor të njohur të fushës. E lexove Prençin se ç’thotë për termetin që pritet të bjerë së shpejti- e pyes.
Po-më thotë, dhe më tregon një histori të jetuar të termetit katastrofik të vitit 63 në Shkup.
Kur ra termeti i Shkupit më tregon profesori, dridhjet kishin ditë që trondisnin qytetin. Popullsia e alarmuar kish braktisur shtëpitë e gdhihedhin jashte në lulishtet pranë pallateve. Situata e rendit dhe panikut po i dilte nga duart autoriteteve të qeverisjes. Atëherë Jugosllavinë e drejtonin komunistët. Kështu, u morr një vendim nga Komiteti i Partisë në Shkup që të qetësohet populli. Dhe kështu u bë. U dha një urdhër që Drejtori i Institutit Sizmologjik të dilte në media e të qetësonte publikun. Urdhëri i partisë nuk diskutohej. Drejtori shkencëtar, del në mbremje e u thotë njerzve që të kthehen në shtëpi se nuk ka tërmet. Dikush e besoi e hyri në shtëpi. Por …atë natë, në te zbardhur, ndodhi hataja e madhe që njihet si Tërmeti i Shkupit.
Dëmet ishin të mëdha. Pallate të tëra ishin shëmbur. Atë mëngjez del nga shtëpia e tij gjysëm e prishur edhe Prifti i Shkupit. Kish marrë rrugën drejt kishës së rrënuar. Pasi bën ca rrugë, përballet rastësisht me Drejtorin e Sizmologjikes.
Mirëmëngjez Uratë ! – e përshëndet Drejtori
Mirëmëngjez shkenctar- ia kthen Urata
Unë shkenctar? Po të isha nuk do ndodhte ky qamet- ia kthen Drejtori
Të ndoqa mbrëmë – i thotë Urata dhe kam një këshillë për Ty: Bëj kujdes kur flet për këto punë bir! Sa më dëgjon kur lutem Unë Ai lartë,
aq të dëgjon kur flet edhe Ty Ai poshtë.
Ndaj kujdes zoti Prençi. Nuk të dëgjon edhe Ty
“ky poshtë”.

Çrarë deklaroi Shemsi Prençi:

Pas një vere të nxehtë lind një problem i rrezikshëm. Së pari duhet të kemi parasysh që periudha e ripërsëritjeve të tërmeteve është me kohë dhe limite të përcaktuara. Duke llogaritur tërmetet e vitit ‘67 në periudhën e kthimit një herë në 50 vite, ne përkojmë me rrezikshmërinë e lartë të tërmeteve në Shqipëri në të dy korridoret Elbasan, Tiranë, Shkodër, Dibër, Korçë, etj. Ne duhet të jemi të kujdesshëm në raport me situatat e pritshme, pasi kanë nisur lëkundjet e para në qarkun e Elbasanit, kryesisht në Qukës. Ne le t’i lutemi Zotit të mos ketë tërmete me pasoja, por duhet të jemi të përgatitur pasi rreziku i tërmeteve në fund të 2017-s dhe në fillim të 2018-s është real, siç e ka treguar dhe gjeoshkenca.