Ish-drejtori i FBI-së, James Comey ka nënshkruar një marrëveshje prej 2 milionë dollarësh për të shkruar një libër mbi lidershipin dhe vendimmarrjen, ku do të pasqyrohet karriera e tij në pushtet, përfshi këtu edhe dramën e bujshme që çoi në shkarkimin e tij nga administrata e presidentit Donald Trump.

Sipas shtëpisë botuese, Comey do të rrëfejë sesi e menaxhoi hetimin e Byrosë Federale të Hetimit për çështjen e serverit privat të “e-mail”-eve të Hillary Clintonit, si dhe të akuzave për lidhje mes Rusisë dhe fushatës presidenciale të Trumpit.

Trump e shkarkoi shefin e FBI-së, Comey, në muajin maj, teksa më vonë tha për “NBC News” se ishte irrituar nga hetimi i FBI-së në atë “gjënë ruse”, për të cilën vijon të këmbëngulë se është një histori e rreme. Që prej atëherë, Comey ka dëshmuar përpara Kongresit se Trump i kishte kërkuar t’i jepte fund hetimit mbi ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn, e ka mbajtur regjistrime të takimeve të tij me presidentin.

Libri është siguruar për t’u publikuar nga “Flatiron”, pjesë e botimeve të “Macmillan”, që premton se Comey do të citojë “disa shembuj nga situatat më të vështira në dy dekadat e fundit të qeverisë amerikane”. Libri do të ketë gjithashtu “anekdota nga karriera e tij e gjatë dhe e pasur”. Ai nuk e ka ende një titull, por pritet që të publikohet pranverën e ardhshme, përcjell TCH.

“Përgjatë karrierës së tij, James Comey është dashur të përballet me vendime nga më të vështirat, e është dashur të shërbejë për udhëheqësit e kombit tonë”, shkruan në një deklaratë “Flatiron”. “Libri i tij premton të na fusë brenda këtyre momenteve të jashtëzakonshme të historisë sonë, duke na treguar sesi janë sjellë këta udhëheqës nën presion. Duke e bërë këtë, drejtori Comey do të na japë qasje të paprecedenta në korridoret e pushtetit, si dhe një lëksion të mrekullueshëm për vet lidershipin”.

Ishin disa shtëpi botuese që tentuan të siguronin të drejtat e këtij libri, ndërsa 3 zyrtarë të paidentifikuar me njohuri mbi këtë garë thonë se ankandi kapi shifrat e 2 milionë dollarëve.