Ngërçi politik në Kosovë pritet të zgjasë, ndërsa kreu i LDK’së, Isa Mustafa tha se partia e tij nuk do të votojë Kadri Veselin për kryetar të kuvendit.

LDK, thotë Mustafa, nuk e shikon të mundshëm një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, ndërsa flet për bashkëpunim me Vetëvendosjen.

“Ne kemi qëndrimin që të mos përkrahim një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës. Do të bisedojmë me Vetëvendosjen se a mund të gjejmë një gjuhë të përbashkët, argumente të përbashkëta dhe po ashtu interes të përbashkët të vendit, që ta bëjmë një qeveri të përbashkët. Do të shohim programin qeveritar, por edhe çështje të cilat kanë mbetur si zotime tonat para komunitetit ndërkombëtar, sidomos ajo që ka të bëjë me liberalizimin e vizave dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Kadri Veseli nuk do të votohet nga partia ime. Do të ishte mirë që të propozohej një deputet, i cili do të ishte më konsensual, sa i përket subjekteve të tjera”, u shpreh Isa Mustafa për Top Channel.