Irani paralajmëron se brenda pak orësh mund ta anulojë marrëveshjen e 2015 me fuqitë e mëdha për programin bërthamor, nëse Shtetet e Bashkuara vendosin sanksione të reja. Paralajmërimin e bëri presidenti Hassan Rouhani në një deklaratë përpara parlamentit të vendit.

Ruhani tha se nëse administrata amerikane tenton të përsërisë eksperiencat e mëparëshme, Irani do të rikthehet në një pozicion shumë herë më të avancuar se ç’ishte kur bisedimet nisën. Dhe kthimi do të jetë jo për çështje javës, as muajsh por për çështje orësh – tha presidenti i Iranit.

Marrëveshja që Irani të ndalonte programin bërthamor u arrit pas bisedimeve në Zvicër gjatë administratës së ish-presidentit amerikan Barak Obama në vitin 2015.

Pjesë e marrëveshjes krahas Shteteve të Bashkuara ishin edhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Rusisë e Kinës. Irani iu rikthye eksportit të naftës, me përfitime kolosale për ekonominë vendase, në këmbim të ndalimit të programit për pasurimin e uraniumit.

Por Donald Trump kërkon që marrëveshja të rinegociohet, pasi atë që u nënshkrua gjatë administratës Obama e konsideron si të keqe.