Irani ka njoftuar se ka arrestuar 27 militantë të lidhur me grupin ekstremist, Shteti Islamik (ISIS), të cilët kanë planifikuar kryerjen e sulmeve në këtë vend.

Ministria e Intelegjencës ka thënë se militantët janë identifikuar gjatë shkëmbimeve të intelegjencës me një shtet të rajonit.

Ajo nuk ka përmendur emrin e shtetit apo se kur janë arrestuar militantët.

Ministria ka thënë se 10 prej tyre janë ndaluar dhe dërguar në Iran, derisa 17 të tjerë janë arrestuar në Republikën Islamike.

Sipas kësaj ministrie, pesë prej tyre kanë planifikuar sulme terroriste në qendër të rajoneve shiite të Iranit, derisa 12 të tjerë i kanë mbështetur drejt sulmit, përcjell REL.

Grupi militant e ka marrë përgjegjësinë për dy sulmet e 7 qershorit në parlamentin e Iranit dhe tempullin e Ayatollah Ruhollah Khomeini në Teheran.