Institucionet distancohen ndaj përgjegjësisë së agjentit serb Goran Zhivaleviq më 27 prill në Kuvend. Derisa nga kabineti i Presidentit Gjorge Ivanov demantojnë se Zhivaleviq ka njoftuar Këshilltarin për siguri në Presidencë, Sinisha Aleksovski për prezencën e tij, njëkohësisht topin e hedhin edhe tek Ministria e Jashtme e cila sipas tyre është kompetente për t’i dhënë leje diplomatëve të huaj për të hyrë në institucione. Nga Kabineti i Presidentit njoftojnë se shërbimet vendase nuk kanë kërkuar ndihmë nga Zhivaleviq në ditën kritike.

Faktet flasin se në ditën kritike, para hyrjes në Kuvend, Ambasadori i Serbisë, konkretisht diplomati Zhivaleviq nuk ka kërkuar leje verbale ose me shkrim nga personat e autorizuar. Përkundër kësaj, i njëjti pasi ka përfunduar aktivitetet e tij ka njoftuar për prezencën në Kuvend, gjë që nuk mund të zvogëloj përgjegjësinë e tij për hyrje jo legale në Kuvend- thuhet në kumtesën e kabinetit të Presidentit.

Nga Ministria e Jashtme thonë për Alsat M se në këtë dikaster deri më 27 prill nuk ka pasur asnjë njoftim nga ana e Ambasadës së Serbisë dhe aq më pak nga agjenti nën petkut e diplomatit se më 27 prill do të futet në Kuvend për të monitoruar zhvillimet. Agjenti i Agjencisë për Siguri dhe Inteligjencë në Serbi, Goran Zhivaleviq në një deklaratë për mediat serbe ka theksuar se misioni i tij ka qenë jo i qëllimit të keq dhe se në Kuvend është futur për të vërtetuar nëse në mesin e protestuesve qoftë edhe atyre të dhunshëm ka shtetas serb.

Prezenca ime në aktivitete e 27 prillit është miratuar nga Kabineti i Presidentit, konkretisht nga këshilltari për siguri. Prezenca ime nuk ka qenë as e fshehtë dhe as e qëllimit jo të mirë- tha Goran Zhivaleviq, agjent i ASI-së.

Burime anonime bëjnë të ditur se prezenca e Zhivaleviq në Kuvend mund të jetë edhe skenar i kabinetit të Presidentit Gjorge Ivanov, me qëllim që të shpërqendrohet vëmendja e opinionit nga prezenca e agjentëve të Agjencisë së Inteligjencës natën e 27 prillit në Kuvend.

Pas denoncimit të prezencës së Zhivaleviqit në Kuvend më 27 prill, mediat serbe shpalosën dokumente nga masat e posaçme hetuese, ku cak i ndjekjeve kanë qenë agjenti serb Goran Zhivaleviq dhe kryetari i Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni, Ivan Stoilkoviç. Bisedat e transkriptuara shpalosin marrëveshjen e dy të lartpërmendurve për angazhimin e gazetarëve serb me qëllim propagandimin e orientimit pro rus të Maqedonisë në Serbi.

Propagandimin e bindjes dhe orientimeve ruse të Maqedonisë e ka konstatuar edhe një raporti paraprak i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Departamenti për analiza dhe Hulumtime. Raporti është hartuar në kohën kur me DSK-në ka udhëhequr Vlladimir Atanasovski, kuadër i VMRO-DPMNE-së i cili në këtë post erdhi pas largimit të Sasho Mijallkovit. Ky raport konstaton se në Maqedoni vepron FSSB-ja, apo ndryshe e njohur si Fondi Publik ndër-regjional për Promovimin (përparimin) në Strategjinë e Sigurisë, me seli në Moskë. Kjo organizatë është formuar në vitin 1998 nga anëtarë të shërbimit rus të asaj kohë, KGB-së në të cilën tani marrin pjesë edhe agjentë aktual të Shërbimit Federal për Siguri i Federatës Ruse. I njëjti fond funksionon edhe në Serbi, Bullgari dhe Greqi.