Pas vështirësive që po hasin për transferimin e Philippe Coutinho në Kataluni, drejtuesit e Barcelonës duket se kanë ndërruar objektiv.

Synimi i tyre tani duket se është sulmuesi anësor i Napolit dhe kombëtares italiane, Lorenco Insigne.

26 vjeçari është në rritje të vazhdueshme dhe në dy sezonet e fundit është shndërruar në një pikë referimi, si për Napolin, ashtu edhe për kombëtaren e Italisë.

Ashtu si Neymar, edhe Insigne preferon të niset nga e majta, ndërsa shquhet për depërtimet e tij në qendër dhe goditjet e ‘hidhura’ drejt portës, duke shënuar disa herë gola nga ai pozicion.

Katalanasit kanë ofruar rreth 60 milionë euro për kartonin e Insignes, ndërsa ende nuk dihet nëse oferta do të pranohet nga napolitanët, por largimi i tij do t’i bënte vend në formacion belgut Mertens, i cili përfundoi në stol me rikthimin e Milik, pavarësisht formës mjaft të mirë që ka treguar.

Në përfundim të ndeshjes ndaj Nicës, i pyetur në lidhje me një transferim të mundshëm te Barça, Insigne u përgjigj shkurt: “Tani jam mirë te Napoli”!