Të paktën 25 persona humbën jetën gjatë përleshjeve dhe zjarrvënieve, që shpërthyen në dy shtete në veri të Indisë, pasi një guru u dënua për përdhunimin e dy ndjekëseve të tij.

Ushtria indiane u mobilizua në qytetin Panchkula të premten, pak pasi gjykata shpalli fajtor për sulme seksuale udhëheqësin shpirtëror Ram Rahim Singh.

Masa e dënimit për të vetëquajturin “njeriu i Zotit” dhe udhëheqësin e një sekti të njohur në vend do të jepet të hënën.

Energjia elektrike, shërbimi “Wi-Fi” dhe televizionet kabllore u ndërprenë pjesërisht në shtetet Haryana dhe Punjab përpara vendimit, ndërsa 200 mijë pjesëtarë të sektit u mblodhën në Panchkula, për t’u solidarizuar me gurunë.

Pamjet televizive treguan kolonat e tymit teksa ngriheshin nga një stacion hekurudhor dhe një pike karburanti në Punjab, të cilës iu vu flaka nga mbështetësit e gurusë. Gjendja e shtetrrethimit u shpall në 3 prej qyteteve më të mëdha të këtij shteti, ku u raportuan qindra incidente të dhunshme.

Ekipet e shumë medieve raportuan plagosje apo dëmtime të automjeteve të tyre. Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të larguar manifetuesit. Kryeqyteti i Indisë, Nju Delhi është gjithashtu në gjendje alarmi, pasi u raportuan të paktën 7 raste zjarrvënieje në zona të ndryshme.

Singh, një prej njerëzve më të pushtetshëm në Indi, e drejton sektin 69-vjeçar nga ashrami i tij, që gjendet në një pronë prej 1.000 hektarësh në Harajana, ku përfshihet një hotel, kinema, stadium kriketi dhe shkolla. Ai pretenton se ka 60 milionë ndjekës në të gjithë botën.