Jeta në Tokë ekziston falë Diellit, por si duket, ajo do të shkatërrohet po ashtu nga Dielli. Të gjitha format jetësore do të zhduken, derisa Toka do të digjet nga një Diell rreth 100 herë më i madh sesa ky që është tani. Nëse tani filloi t’ju kapë frika, mos u shqetësoni fort, meqë një gjë e tillë pritet që të ndodhë, së paku rreth pesë miliardë vjet më vonë.

Çfarë do të ndodhë në Tokë?

Pas pesë miliardë vjetësh, mendohet që Dielli do të shndërrohet në një yll gjigant të kuq, me qindra herë më i madh sesa që është tani. Derisa kjo metamorfozë në një yll gjigant do ta ndryshojë sistemin tonë diellor, shkencëtarët nuk janë të sigurt se çka do të ndodhë në Tokë. Meqë Dielli do të jetë më i madh dhe më i nxehtë, ai me gjasë do t’i shkatërrojë të gjitha format e jetës në planetin tonë. Por, ende nuk dihet a do të mbijetojë bërthama e gurtë e planetit. Në fund të evolucionit të tij, shtatë miliardë vjet nga tani, Dielli do të mbarojë si yll xhuxh me ngjyrë të bardhë. Astronomët ndërkombë- tarë, me seli në Leuven të Belgjikës, kanë prezantuar këto zbulime në një punim të botuar në gazetën “Astronomy and Astrophysics”. Edhe pse do të mbarojë si një yll xhuxh i masës së bardhë, duhet ditur se një lugë e këtij materiali peshon rreth pesë tonelata. Pra, kur të bëhet yll i vogël, xhuxh, Dielli do ta ketë një peshë tepër të madhe.

“Mungesa” e gjigantëve të kuq

Yjet antikë gjigantë, të kuq, mund të kenë qenë subjekt i ndeshjeve të vazhdueshme me një disk masiv shtesë, duke ndikuar që ata të zhdukeshin në tërësi nga Kashta e kumtrit. Kjo d.m.th. se gjigantët e kuq në fakt nuk janë zhdukur, por thjesht, janë tepër të errët që të mund të shihen. Skemat e simulimit mbështesin idenë se gjigantët e kuq ende janë aty, por tani janë tepër të zbehtë që të mund të shihen. Kërkuesit shkencorë kanë detektuar një objekt që sillet rreth një ylli gjigant. Me gjasë, kjo ofron një pamje të shkëlqyeshme të asaj sesi do të duket Toka pas pesë miliardë vjetësh.