Deputeti i zgjedhur nga radhët e koalicionit PAN, Enver Hoxha, është shprehur i bindur se para se të fillojë seanca konstituive e Kuvendit të Ri, koalicioni i ka pasur votat për zgjedhjen e kryeparlamentarit, por sipas tij në momentin e fundit, një votë i ka dështuar. Në “InfoBox” në RTV Dukagjini, Hoxhaj ka hezituar të tregojë se për cilin deputet bëhet fjalë.

“Unë kam informata se kemi pasur mbështetje edhe nga një deputet tjetër. Por ai në momentin e fundit e ka ndryshuar mendjen dhe është tërhequr. Nuk dua të flas me emra. Ne mendojmë se është e drejtë individuale e secilit deputet se kë ta votojë, por kjo iu mohua deputetëve. Kjo u vërtetua edhe në seancën e sotme”, ka thënë ai.

Hoxhaj nuk ka dashur ta komentoj edhe pyetjen që i është bërë nga gazetari, se a është ky deputet Labinot Tahiri.

“Nuk dua të konfirmoj apo të flas me emra. Ajo që mund të them është se ne i kemi pasur votat, por në momentin e fundit kanë ndryshuar gjërat”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka treguar se do të kthehen në Kuvend vetëm kur të ketë kushte. Hoxhaj tha se kryesuesi i seancës nuk mund ta thërrasë mbledhjen pa u konsultuar me subjektin politik më të madh në vend.