Shefi i koalicionit LAA, Avdullah Hoti, e ka sulmuar Lëvizjen Vetëvendosje për dhunën që këta të fundit e kanë përdorur në Kuvend. Madje, ka theksuar se ky subjekt politik ka bërë përpjekje të paprecedent për të ardhur në pushtet

Deklaratat e Hotit për të sulmuar Vetëvendosjen vijnë pasi Albin Kurti kritikoi sot në Kuvend kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën.

Në një konferencë për media, Hoti foli edhe për seancën e sotme. Sipas tij, seanca të tilla nuk duhen përsëritur më.

“Është për keqardhje që foltorja është shndërruar në arenë përplasjeje në mes Kurtit dhe Veselit. Tash PAN dhe VV po e shfrytëzojnë prapë Kuvendin për hilet e tyre politike.

Ju e dini që VV ka shkuar shumë larg me metodat e tyre ne Kuvend duke përdorur metoda të dhunshme. Keni parë përpjekje të paprecedenta të VV-së për me ardh në pushtet”.

Për PDK-në dhe kryetarin e saj Kadri Veselin, Hoti tha se “vazhduan me avazin e vjetër, duke folur për luftën e UÇK-së”.

Kandidati për kryeministër i LAA-së, tha se Vetëvendosja për një kohë të gjatë e ka sulmuar PDK-në e tash, sipas tij, VV është shndërruar në një version edhe më të keq se PDK-ja.

“Ne si LDK jemi të vendosur që të mos lëshojmë rrugë për ata që vijnë në pushtet përmes dhunës, e shantazheve. Qytetarët duhet të jenë të sigurt se Qeveria që mund të formohet nga LDK-ja mund t’i ofrojë vendit një Qeveri normale, që sigurojnë një qeveri evropiane. Ne vija të kuqe kemi vetëm për PDK-në”.

Hoti ka shtuar se ata nuk do të marrin më pjesë në seanca derisa të qartësohet situata. /Express/