Shefi i grupit parlamentar LAA-në, Avdullah Hoti, edhe një herë ka deklaruar se koalicioni që ai i takon ka dallime substanciale më Lëvizjen Vetëvendosje. Hoti në një intervistë dhënë KosovaPressit, ka deklaruar se qëndrimet e partisë që ai i takon janë të qarta sa i përket koalicioneve.

“Ne kemi dallime substanciale me Vetëvendosjen, ne nuk e përjashtojmë askënd nga koalicioni që mund të ndërtojmë në të ardhmen, por bazë për arritjen e koalicionit do të jetë programi i LDK-së, që është i qartë si te zhvillimi ekonomik. Ta zëmë ne kemi diferenca tek kjo pikë e programit me Vetëvendosjen”, ka deklaruar Hoti.

 Tutje ai është shprehur se dallimet janë tek çështjet e dialogut me Serbinë.

“Një dialog që zhvillohet në Bruksel, për temat më të rëndësishme që ka Kosova, duke e vendosur një kornizë të qartë edhe të temave edhe të afateve kohore edhe disa tema të tjera të cilat me të vërtet kemi dallime me Vetëvendosjen. Këto janë kushtet të cilat ne nuk jemi të gatshme të bëjmë as një lloj kompromisi në koalicionet e mundshme që mund të ndërtojmë në të ardhmen. Do i ftojmë partitë tjera që të na bashkohen në këtë platformë si pari e qendrës së djathtë, ashtu si jemi dhe unë besoj që do të arrimë të ndërtojmë një koalicion të tillë“, tha Hoti.