Kandidati për kryeministër i koalicionit LAA dhe shefi i grupit parlamentar të LAA-së, Avdullah Hoti, në fjalën e tij në seancën, ka thënë se monopolizimi i shtetit po vjen vetëm nga dy njerëz nga dëshira për të ardhur në pushtet, duke iu referuar Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt.

Ai ka thënë se nga sot vendi po hyn në krizë të thellë.

Sipas tij, më nuk duhet të thirret seance e re, pa u gjetur një zgjidhje. Ai ka ftuar të gjitha partitë, përfshirë edhe PAN-in, të ulen në një tryezë të përbashkët për të qartësuar situatën.

Hoti ka thënë se është fatkeqësi që koalicioni PAN ka varur shpresat në disa matrapazë që mundohen të shtyjnë dikë t’i votojnë ata.

“PAN i ka marrë krejt shpresat e formimit të institucioneve të vendit. Kjo është fatkeqësi dhe papërgjegjësi e këtij grupimi politik”, ka thënë Hoti.

Ai ka theksuar se LAA nuk do të rrijë duarkqyr pas kësaj seance, por do të kërkojë zgjidhje përmes Kushtetutës, përcjell Bota sot.

“LAA do të sillet në mënyrë kushtetuese, por duarkryq nuk mund të rrimë pas kësaj seance. Do t’i shfrytëzojmë të gjitha opsionet kushtetuese”, ka thënë ai.