Një person është vrarë ndërsa katër të tjerë janë lënduar, sot rreth orës 02:00 në një shtëpi familjare në qytetin e Velesit.

Policia njoftoi se në kohën në fjalë S.V. (46) me dhunë është futur në shtëpinë e fqinjit të tij D.N. (66), me të cilin ka pasur raporte të acaruara.

S.V. me një çekan dhe levë u ka shkaktuar lëndime në kokë D.N., bashkëshortes së tij L.N (55) dhe vajzës 31-vjeçare, të cilët kanë qenë në katin e parë.

Më pas ai ka vazhduar në katin e dytë ku ka jetuar vëllai i D.M, T.N. (63), të cilin gjithashtu e ka sulmuar, si dhe bashkëshorten e tij, V.N. (53).

Të gjithë të lënduarit janë dërguar në spital, ndërsa D.N. nuk u ka mbijetuar plagëve.

Për shkak të seriozitetit të lëndimeve bashkëshortja e të ndjerit me urgjencë është dërguar në Qendrën Klinike në Shkup.

Nga MPB informojnë se sulmuesi është arrestuar, ndërsa policia po punon në zbardhjen e plotë të rastit.